Të gjithë e dimë se një gotë verë me tepër ose stresi i akumuluar mund të shkaktojë dhimbje koke. Megjithatë, ekspertët zbulojnë më shumë shkaktarë të dhimbjes së kokës, të cilët sigurisht që do t’ju befasojnë.
Aktivitetet e përditshme: ushqimi të cilin e hamë, mënyra me të cilën ushtrojmë ose zbukurohemi a rregullohemi, mund të jenë shkaktar i dhimbjes së kokës.
Kollitja
Kolla dhe lloje të ngjashme të angazhimit, të tilla si teshtitja ose fryrja e hundës mund të shkaktojnë dhimbje koke. Përafërsisht një për qind e dhimbjes së kokës i shkakton kollitja, e më të rrezikuar për këtë janë meshkujt. Dhimbja është e rreptë, therëse, në zonën e qafës dhe zakonisht zgjat nga disa sekonda në disa minuta. Dhimbja e kokës e shkaktuar nga kollitja shpesh tregon për çrregullime të tjera siç është sindroma Arnold-Chiari.
Frizura
Derisa floktarët lajnë flokët tuaja koka duhet të jetë e shtrirë prapa. Kjo pozitë mund të shkaktojë dhimbje në kokë madje edhe për disa ditë pas shkuarjes te floktari. Efekt të ngjashëm ka mbajtja e receptorit të telefonit me krah, ose ulja në një karrige pa mbështetëse. Përveç kësaj, flokët e lidhura shtrëngueshëm, gërshetat dhe kapelat e ngushta mund po ashtu të shkaktojnë dhimbje koke.
Vrapimi në shirit lëvizës
Vrapimi në shiritin lëvizës dhe tendosjet e ngjashme fizike shkaktojnë të ënjtura në enët e gjakut në qafë, kokë, që çon në krijimin e shtypjes në tru. Dhimbja e fortë fillon për disa sekonda, ndërsa dhimbjet e tilla të kokës zakonisht paraqiten te njerëzit me migrenë. Ndryshimi i llojit të ushtrimeve mund të ndihmojë. Për shembull, në vend të vrapimit bëni not.
Ankthi
Njerëzit me vetëbesim të ulët dhe personalitet ankthioz kanë probabilitet të lartë të vuajnë nga migrena, shkruan “Daily Mail”. Këta njerëz janë të nënshtruar ndaj stresit, i cili zvogëlon nivelin e serotoninës në tru. Niveli i ulët i këtij kemikali në tru, mund të shkaktojë dhimbjen.
Sandviçi me proshutë
Ekzistojnë ushqime të shumta, të cilat mund të shkaktojnë dhimbje koke, mirëpo proshuta është më e suksesshmja në këtë. Ajo përmban konservansin tiranin, i cili rrit qarkullimin e gjakut në tru dhe shkakton dhimbje koke. Dhimbja e kokës e shkaktuar nga aditivët në ushqim zakonisht ndihet në të dy anët e kokës. Përveç proshutës, tiranini gjendet edhe në ushqimet e tjera të tymosura, të marinuara (të cilave u hidhet kripë për t’i ruajtur), ose në ushqimet e thartuara, në djathëra, çokollata, prodhime të mishit, ananas dhe banane.
Seksi
Edhe pse dhimbja e kokës është arsyetim i zakonshëm për ta shmangur seksin, nganjëherë ai vërtet edhe mund ta shkaktojë atë. Kjo dhimbje koke paraqitet kryesisht gjatë kohës së orgazmës ose pas saj, e nga kjo vuajnë 1.3 për qind e njerëzve, më së shumti meshkujt. Manifestohet si një dhimbje e vazhdueshme në pjesën e pasme të kokës, e rrallë mund të çojë edhe deri te një sulm hemorragjik në kokë.
Dushi i nxehtë
Ndryshimi i temperaturës shkakton ndryshim të qarkullimit të gjakut, i cili mund të çojë në dhimbje të rrufeshme therëse në zonën ballore. Kjo dhimbje koke rrallë zgjat më shumë se pesë minuta, e përveç dushit të nxehtë mund ta shkaktojë edhe noti në ujë shumë të ftohtë.
Pirja e duhanit
Ndoshta për momentin lehtëson nervozizmin, mirëpo në të njëjtën kohe shkakton dhembje koke. Nikotina shkakton zvogëlimin e enëve të gjakut, që mund të shkaktojë dhimbje në kokë.
Mungesa e gjumit
Irritimi, pamundësia për të funksionuar si duhet dhe kujtesa e dobët janë pasojat më të dukshme të mungesës së gjumit. Megjithatë, shkencëtarët kanë vërtetuar edhe se fjetja e pamjaftueshme po ashtu shkakton dhimbje koke, të cilat mund të zgjasin një orë ose edhe një ditë.
Koha e nxehtë
Numri i njerëzve të cilët paraqiten te mjeku për shkak të dhimbjes së kokës rritet me ngritjen e temperaturave, pa marrë parasysh se a është stina e verës apo e dimrit, pohojnë ekspertët.
No comments:
Post a Comment